Këtë fundjavë në program ishin edhe ndeshjet e xhiros së parë në kategorinë e kadetëve në futbollin vendor, njofton “infOSport.mk”.
Befasinë më të këndshme e servuan futbollistët e rinj të Struga Trim Lum, që në Shkup mundën ekipin e Rabotniçkit me shifrat 4:2.
Vlen të theksohet se të gjithë 6 golat në këtë ndeshje u shënuan nga futbollistë shqiptarë. Ajet Tairi (16’) dhe Ervin Coma (23’) shënuan dy gola të shpejtë për Struga Trim Lum, që në pushim shkoi me epërsinë 2:1, kjo pasi në minutën e 39-të, vendasit e Rabotniçkit me anë të Iljaz Halimit shënuan golin e parë të këtij takimi.
Struga Trim Lum përmes Altin Polisit në minutën e 62-të riktheu sërish epërsinë e dy golave, derisa vetëm 10 minuta më vonë, një gol i Furkan Eminit, riktheu sërish shpresat e “romantikëve” të rinj se mund të rikthehen në lojë, mirëpo gjithçka morri fund në minutën e 87-të, kur Ajet Tairi me golin e dytë personal vendosi rezultatin përfundimtarë të takimit, Rabotniçki 2, Struga Trim Lum 4.
Vardari falë dy golave të shënuar nga rezervisti Nikolla Jankullovski në pjesën e dytë, mundi Teteksin me rezultatin 2:0, ndërsa me po të njëjtin rezultat, Pelisteri si vendas mundi ekipin e Ohrid Lihnidos.
Skopje si mysafir në Shtip shënoi fitore 3:1 ndaj Bregallnicës, ndërsa Makedonija Gj.P. shënoi fitoren më të thellë të javës, duke mundur KF Arsimin me shifrat 5:0.
Që të gjithë golat erdhën në pjesën e dytë, derisa “verdhekuqtë” nga Gjorçe Petrovi avansuan në minutën e 51-të, falë autogolit të shënuar nga Arbi Selmani.
Nuk vonoi shumë dhe vetëm dy minuta më vonë, Ardi Bajrami dyfishoi epërsinë e Makedonija GJ.P, skuadër kjo që në minutën e 63-të, iu gëzua edhe golit të tretë të realizuar nga Dalibor Markoviq.
Ridvan Selimi në minutën e 74-të shënoi edhe golin e katërt në rrjetën e mysafirëve nga Çegrani, ndërkohë vetëm 3 minuta më vonë, Petar Georgievski, vendosi rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Makedonija GJ.P. 5, KF Arsimi, 0.
Ndeshja e vetme e xhiros së parë tek kadetët që nuk prodhoi gola, ishte ajo ndërmjet AP Brera dhe FC Shkupit e zhvilluar në Strumicë. (infOSport.mk)
|
Kadetët | Java 1 |
||||||||||||||||||
|

