Kombëtarja shqiptare ka marrë një fitore tepër të rëndësishme 2:0 ndaj Finlandës në stadiumin “Air Albania”, në ndeshjen e vlefshme për raundin e pestë të Grupit C1 në Ligën e Kombeve.
Të besuarit e trajnerit Rolando Maran zhvilluan një ndeshje bindëse dhe dominuese, duke regjistruar tre pikë të arta, dhe njëherit duke iu hakmarrë Finlandës për disfatën në ndeshjen e parë të zhvilluar në Helsinki.
Sfida u zhbllokua në minutën e 35-të, kur Ernest Muçi me të djathtën e tij lëshoi një predhë të vërtetë që përfundoi në rrjetën e portierit kundërshtarë, Hradecky, që vetëm me shikim e përcolli topin në rrjetën e tij.
Pjesa e dytë nisi me të njëjtin intensitet për “kuqezinjtë”, të cilët dyfishuan shifrat në minutën e 50-të përmes sulmuesit tjetër, Rey Manaj, i cili goditi saktë me kokë pas një harkimi perfekt të Elseid Hysajt nga krahu i djathtë.
Situata për miqtë u rëndua edhe më shumë në minutën e 67-të, kur mbrojtësi Tenho u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Muçit, duke e lënë Finlandën me 10 lojtarë.
Pavarësisht dominimit dhe rasteve të krijuara, përfshirë një gol të anuluar të Mirlind Dakut në minutën e 83-të, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fishkëllimën finale.
Me këtë sukses të merituar, Shqipëria blindon vendin e parë në grup me 12 pikë, duke mbajtur një distancë prej dy pikësh ndaj Bjellorusisë ndjekëse, ndërsa Finlanda mbetet në kuotën e 7 pikëve dhe del zyrtarisht nga gara për kreun.
Ndeshja e fundit dhe vendimtare për kualifikimin e “kuqezinjëve” në Ligën B të Kombeve do të luhet në transfertë pikërisht kundër Bjellorusisë pas tre ditësh.
