Bajerni i Munihut pasi disa ditë më parë fitoi SuperKupën e Europës, duke mundur Seviljën, sonte fitoi edhe SuperKupën e Gjermanisë, duke arritur edhe trofeun e 5-të sezonal, njofton “infOSport.mk”.
Për më tepër Bajerni sonte vendosi rekord, kur janë në pyetje trofetë e SuperKupës së Gjermanisë, gjithsje 8 të tillë.
Bajerni i Munihut në finalen e zhvilluar në “Allianc Arena” mundi rivalin e madh Borusinë e Dortmundit me shifrat 3:2.
Xhoshua Kimih doli të jetë heroi i “bavarezëve”, duke shënuar golin e fitores në minutën e 82-të.
Paraprakisht futbollistët e Hansi Flik lëshuan epërsinë prej dy golave, ndërsa edhe Borusia e Dortmundit nuk ishte larg për të përmbysur gjithçka.
Bajerni avansoi me rezultatin 2:0 falë golave të shnëuar nga Korenten Toliso (18’) dhe Tomas Myler (32’), ndërsa shpresat e “milionerëve” i rikthyen Julian Brandt (39’) dhe Erlind Holand (55’).
Mirëpo në fund të takimit vendasit gjetën forcën e duhur duke shënuar golin e fitores me anë të Kimih dhe duke rrëmbyer edhe trofeun e 5-të që nga fillimi i këtij viti. “Bavarezët” pasi u shpallën kampion dhe fituan Kupën e Gjermanisë, u shpallën edhe kampion të Europës, ndërsa brenda pak ditëve këtyre tre titujve të fituar muaj më parë ua shtuan edhe dy trofetë e SuperKupave, atë të Europës dhe sonte, atë të Gjermanisë.