Sonte finalja e Liga Europa, Ajaks-Mançester J.

Sonte në stadiumin “Friends Arena” të Stokholmit luhet finalja e Liga Europa midis Ajaksit dhe Mançester Junajtedit. Është kjo hera  eparë që këto dy skuadra do të takohen në një finale të këtij kompeticioni, pasi deri më tani jemi mësuar ti shohim këto emra vetëm si pjesë e Ligës së Kampionëve, ku që të dyja bashkë kanë fituar 7 tituj, 4 Ajaksi dhe 3 Mançester Junajtedi.

Kjo finale është edhe sfida e ekipeve që kanë fituar më shumë tituj në kampionatet respektive. Ajaksi numëron 33 tituj në Holandë, derisa Mançester Junajtedi 20 tituj në Premierligë.

Finalja e Liga Europa është mundësia më e mirë për të shpëtuar sezonin, si për Junajtedin, ashtu edhe për Ajaksin.

“Djajtë e kuq” e mbyllën Premierligën në vendin e 6-të, me 54 pikë, ndërsa Ajaksi e nisi vonë gjuetinë ndaj Fejenordit, skuadër kjo e cila në fund u shpall kampion në elitën e futbollit holandez.

Sfida mes Junajtedit dhe Ajaxit është edhe ajo mes të tashmes dhe të ardhmes, siç është dueli Dolberg-Rashford, por edhe ajo mes Martial e Traore. Në mesfushë priten përballjet më interesante, me Schone, Ziyech e Klassen të Ajaksit, që pa dyshim janë tre super futbollistë që vështirë është për ti markuar, ku punën më të madhe për të bërë një gjë të tillë do ta kenë Herera dhe Karik.

Që të dyja skuadrat për këtë ndeshje finale do të kenë edhe nga një mungesë. Bailly do të ju mungojë “Djajve të Kuq”, derisa Viergever do të mungojë te Ajaksi, që të dy u ndëshkuan me kartona të kuq në gjysmëfinale.

Kjo ndeshje finale gjithashtu do të jetë edhe një luftë për Ligën e Kampionëve. Ajaksi e ka siguruar pjesëmarrjen në këtë kompeticion sezonin e ardhshëm, por do të luajë në fazën eliminatore, ndërsa një fitore e finales e çon drejtpërdrejt në fazën e grupeve.

Në anën tjetër për Junajtedin ngritja e trofeut të Liga Evropa sonte, është i vetmi opsion që kjo skuadër vitin e ardhshëm të jetë pjesë e Ligës më prestigjioze Evropiane, Ligës së Kampionëve.

Leave a Reply