Dortmundi shkarkon Tuhel për 21 minuta

Vetëm 21 minuta ka zgjatur takimi mes drejtuesve të Borusia Dortmundit dhe tashmë ish trajnerit të tyre, Tomas Tuhel dhe agjentit të tij në hotelin „L’Arrivée“ në Dortmund, për ti dhënë fund bashkëpunimit dy vjeçar.

Strategu 43-vjeçar ishte në konflikt të vazhdueshëm më drejtuesit e skuadrës së Dortmundit, gjë kjo që shtyu edhe deri te kjo ndarje, pavarësisht se Tuhel ishte trajneri që kishte fituar më shumë pikë, mesatarisht 2.09 pikë për ndeshje.

Gjithashtu sipas mediave në Gjermani, një fakt tjetër që ka sjellë deri te ndarja e Tuhel me “milionerët” është edhe fakti se ai kishte humbur kontrollin ndaj futbollistëve, gjë kjo që shtoi edhe më shumë bindjet e drejtuesve të skuadrës gjermane për të shkarkuar atë nga pozita e trajnerit.

Brenda dy viteve të kaluara në “Sinjal Iduna Park”, Tuhel fitoi vetëm një trofe, edhe atë trofeun e Kupës së Gjermanisë të fituar vetëm disa ditë më parë, duke mundur në finalen e madhe Ajntrahtin e Frankfurtit me rezultatin 2:1.

Një ndër emrat favorit për të zëvendësuar në postin e trajnerit Tomas Tuhel, përmendet ish trajneri i Hertës së Berlinit dhe Borusia Mendhengladbahut, Lusien Favre, që aktualisht po drejton skuadrën franceze të Nicës.

Leave a Reply