Një futbollist strugan zëvendëson Sadikun te Lugano!

E ardhmja e Armando Sadikut është shumë larg Luganos, ndërsa nisur nga ky fakt, drejtuesit e skuadrës zvicerane kanë filluar të mendojnë për zëvendësimin e tij.  Sadikun, Tramexani synon që ta zëvëndësojë me një tjetër sulmues shqiptar i cili aktualisht aktivizohet në futbollin italian.

Fjala është për sulmuesin e shpresave të Shqipërisë, Isnik Alimi, ndryshe futbollist ky me origjinë nga Dellogozhda e Strugës.

Futbollisti 23-vjeçar është në pronësi të Atalantës, por në sezonin e fundit ai ishte pjesë e Forlit në “Lega Pro” ku ishte një titullar i rregullt dhe i padiskutueshëm.

Emri i futbollistit strugan ka qenë në listën e talentëve që Tramexani ka monitoruar nga kampionatet e huaja, ndërsa nisur nga fakti se ai nuk arrin të gjejë hapësira te Atalanata, ish-ndihmësi i De Biazit te kombëtarja shqiptare, tashmë trajner i Luganos, është gati ta afrojë Alimin te skuadra që po drejton me mjaft sukses dhe me të cilën do të luaj në Liga Europa.

Nëse vjen deri te ky transferim, Isnik Alimi, te Lugano do të rigjejë një tjetër futbollist shqitarë nga Maqedonia, Ezgjan Alioski, mirëpo gjithnjë nëse edhe ky i fundit nuk largohet nga Lugano, duke pasur parasysh se edhe për të interesohen shumë skuadra evropiane.

Rikujtojmë Ezgjan Alioski me 16 gola të shënuar doli të jetë futbollisti më efikas te Lugano gjatë sezonit aktual, ndërsa Armando Sadiku me 9 gola të shënuar në 15 ndeshje, renditet i dyti në listën e golashënuesve te Lugano, që javën e fundit në kuadër të elitës së futbollit zviceran do të përballet me Lucernën e Hekuran Kryeziut.

Leave a Reply