Nuhiu: Shkupi do të luaj aty ku e ka vendin

Të mërkurën në stadiumin e qytetit në Shtip do të zhvillohet ndeshja e dytë e balotazhit midis Shkupit dhe Novacit, ndeshje kjo që do të vendos edhe zyrtarisht se cila prej këtyre dy skuadrave sezonin e ardhshëm 2017/2018 do të luaj në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra e Shkupit është në favor, pasi në ndeshjen e parë të zhvilluar po në Shtip, demoloi Novacin duke e mundur me rezultatin 4:1.

“U futëm në ndeshje me respekt të madh ndaj kundërshtarit dhe më vjen mirë që nuk e nënvlerësuam. Shpresoj të jetë edhe në ndeshjen e dytë ashtu dhe të presim fundin e ndeshjes vetëm atëherë kur të dëgjohet bilbili i fundit i referit. Edhe në ndeshjen e nesërme do të futemi në maksimum të përgatitur dhe me shumë dëshirë për ta fituar përsëri dhe aspak nuk kam dyshim te futbollistët e mi për një gjë të tillë”, – ka thënë trajneri Nuhiu për sajtin zyrtar të klubit, duke komentuar njëkohësisht edhe mbetjen e Shkupit në balotazh.

“Mendoj se nuk e kanë merituar futbollistët e mi që të jenë në këtë situatë, por edhe një herë dëshmohet se futbolli pikërisht për këto befasi është shumë interesant, pasi që ishim shtatë pikë para Pobedës dhe në fund erdhëm në situatë që të luftojmë në balotazh. Mendoj se Shkupi do mbetet këtu ku edhe e ka vendin, pasi që Liga e Parë Maqedonisë pa Shkupin do ishte me shumë pak derbi në kampionatin e ardhshëm”, ka përfunduar trajneri Ardian Nuhiu.

Nesër Shkupi ndaj Novacit do të paraqitet pa të lënduarit Besar Iseni dhe Dimitrija Llazarevski, i cili një kohë më të gjatë ndodhet jashtë fushave të futbollit. Takimi Shkupi – Novaci  starton në ora 17:00.

Leave a Reply