Suad Sahiti zëvendëson Latifin te Skënderbeu

Futbollisti kosovar i Rabotniçkit, Suad Sahiti pritet të zëvendësojë bashkëkombasin e tij, Liridon Latifin, i cili karrierën e tij do ta vazhdojë në Hungari te skuadra e Puskas Akademy.

Mesfushori kosovar pjesë e Rabotniçkit është që nga vera e vitit 2014-të, kur arriti nga Hajvalia e Kosovës, teksa brenda këtyre viteve të kaluara te “romantikët” ai ka zhvilluar gjithsej 69 ndeshje, duke realizuar 9 gola.

Ai pritet që të mbërrijë në Shqipëri ditëve në vijim, ndërsa te Skënderbeu shihet si zgjedhja perfekte për zëvendësimin e Latifit, i cili do të largohet pas ndeshjes së dytë me Dinamon e Zagrebit që skuadra korçare do ta zhvillojë të enjten në “Elbasan Arena” në kuadër të fazës “play-off” të Liga Evropa.

Sahiti luan në të tre pozicionet e mesfushës, si në të majtë, qendër dhe në të djathtë. Shifra e transferimit të tij ende nuk është bërë e ditur, por me siguri se Skënderbeu do të duhet të derdhë një shumë të konsiderueshme të hollash në arkat e Rabotniçkit, me të cilën skuadër Suad Sahiti ka kontratë deri me 30 qershor të vitit 2018.

Leave a Reply