Parashikimi i Taulant Seferit për ndeshjen Maqedoni-Shqipëri

Ish-sulmuesi i Kombëtares së Maqedonisë dhe njëri prej atyre që kishte debutuar në moshë më të re, Taulant Seferi, ka folur për ndeshjen e sotme që Kombëtarja shqiptare do ta luajë ndaj asaj që ai ka përfaqësuar dikur.

Seferi që mbron ngjyrat e Kombëtares shpresa të Shqipërisë dhe që fillesat e tij i kishte pasur te Milano e Kumanovës, që më pas përmes Rabotniçkit të ngjitet shumë shpejt shkallëve lartë të karrierës së tij, duke veshur fanellën e Jang Bojsit zviceran, në një intervistë për “infOSport.mk” shprehet se ekipi i drejtuar nga Panuçi është favorit për të fituar këtë përballje.

“Normal se për mua Shqipëria eshtë favorite në këtë ndeshje kundër Maqedonisë. Mendoj se tani me tranjerin e ri kanë më shumë vetëbesim, janë më të motivuar dhe duke u bazuar në dy paraqitjet e tyre të fundit që i bënë duke mundur Izraelin dhe Lihtenshtejnin me 5 gola të shënuar dhe duke mos pranuar asnjë, besoj se Shqipëria është favorite në këtë ndeshje dhe se në fund do ti marrë 3 pikët e plota” – tha enkas për “infOSport.mk”, Taulant Seferi i cili beson se Kombëtarja shqiptare sonte në Strumicë nuk do të jetë vetëm dhe se do të ketë përkrahje nga ana e tifozëve shqiptarë.

“Nuk dyshoj se do të kenë perkrahje nga shumë tifoz shqiptarë të Maqedonisë që do të udhëtojnë drejt Strumicës” – u shpreh Seferi, duke vijuar se po të zhvillohej kjo ndeshje në Shkup do të ishte shumë më e bukur dhe se do i ngjante një derbi të vërtetë.

 

Leave a Reply