La Liga, “El Clasico” mund të luhet në SHBA ose Kinë

Një ndër ndeshjet më të mëdha në rruzullin tokësor, ajo e La Liga-s ndërmjet Barcelonës dhe Realit të Madridit, ndryshe e njohur si “El Clasico”, mund të zhvillohet në Nju Jork ose Pekin.

Një gjë të tillë ka pohuar e përditshmja financiare “Financial Times”, sipas së cilës, drejtuesit e La Liga-s, po e studiojnë seriozisht mundësinë që një pjesë e ndeshjeve të kampionatit të luhen jashtë Spanjës, në Kinë dhe SHBA që duken shtetet e preferuara.

“Duam që të rrisim reputacionin tonë në arenën ndërkombëtare. Po diskutojmë për mundësinë që disa ndeshje të kampionatit tonë të luhen jashtë Spanjës. Sigurisht, është vetëm fillimi, por La Liga e mbështet këtë ide”, ka deklaruar presidenti i La Ligës, Javier Tebas.

Në fakt, Real Madridi dhe Barcelona këtë verë luajtën mes tyre  në Majami në kuadër të “International Champions Cup”, një ndeshje që mblodhi 66 mijë shikues, pa harruar këtu audiencën televizive.

Për momentin, Premierliga angleze është kampionati më i pasur me rreth 5 miliardë euro të ardhura të siguruara në sezonin 2015/2016, shifër kjo që është dy herë më e lartë se ajo që ka arkëtuar Liga Spanjolle, me këtë të fundit që po kërkon të shfrytëzojë akoma më shumë prezencën e dy prej futbollistëve të më mirë në Botës, Lionle Messi dhe Kristiano Ronaldo.

Leave a Reply