Emini flet për debutimin e tij dhe golin e anuluar (VIDEO)

Izair Emini të dielën me fanellën e Shkëndijës bëri një super debutim. Ai shënoi një gol, ndërsa një tjetër i anulua, edhe pse në këtë rast beson se arbitri Gocevski gaboi.

“Në moment të parë rezulton se ai vendim na hoqi një gol. Kam shikuar përsëritjen ku duket se realisht sinjalizimi i arbitrit vjen pak para se topi të hyjë në rrjetë. Mirëpo nëse shikojmë strikt rregullat e futbollit dhe vendimet që arrbitrat sjellin në kampionate elitare, vlerësoj se duhet pritur disa sekonda për të parë zhvillimin e aksionit dhe nëse topi përfundon te kundërshtari atëherë ndërpritet loja. Nga ky këndvështrim arbitri gaboi dhe ne u dëmtuam nga ai vendim,” – tha enkas për “infOSport.mk”, Izair Emini.

Megjithatë një fakt i tillë nuk mund të mohoj gëzimin e tij për debutimin pozitiv që bëri me fanellën e skuadrës së tij të zemrës, duke shënuar golin e parë në barazimin 3:3.

Sigurisht se jam i lumtur që sërish përjetova të luaj për Shkëndijën pasi rikthimi im ishte një vendim i zemrës. Nga sulmuesit kërkohen gjithmonë gola dhe kur shënon që në start patjetër se ndjehesh mirë. Por më i lumtur do të isha të fitonim tre pikët, qoftë edhe unë mos kisha shënuar. Tani kjo kaloi, ne duhet të shikojmë para pasi kemi potencial për gjëra të mëdha”, – u shpreh Emini në prononcimin e tij për “infOSport.mk”.

Emini këtë verë erdhi nga rradhët e Kukësit, me të cilën skuadër sezonin e kaluar u shpall kampion i Shqipërisë. Ai shpreson se tashmë ka ardhur koha që një gjë të tillë të bëjë edhe me Shkëndijën, njëjtë sikurse bëri edhe gjatë vitit 2011-të.

Leave a Reply