Fakiq: Shkupi me sponzorin e ri, pretendentë për në Europë

Shkupi sot pritet të prezantojë sponzorin e ri, me të cilin edhe përfundimisht do të zgjidhte problemet financiare për një kohë më afatgjate, njofton “infOSport.mk”.

Një gjë e këtillë ka gëzuar tej mase shumë tifoz të kësaj skuadre dhe persona që e ndjejnë dhe e duan këtë klub. Një ndër ta pa dyshim se është edhe Haris Fakiq, një ish futbollist i kësaj skuadre, që mbrëmë në emisionin sportiv “Sportmania” në TV Shenja nuk mbeti pa folur lidhur me këtë paralajmërim.

“Unë kam shumë shpresë se sponzorët e rinj që vijnë te Shkupi do e marrin shumë seriozisht punën që do e bëjnë.  Shkupi ka super potencial për me u ngrit dhe me u kthye sa më shpejtë në rrugën e duhur dhe në rrugën në të cilën ishe në atë kohë kur ishte kampion për tre vite rradhazi dhe e kishte fituar tre herë Kupën. Shkupi është një klub që çdoherë, edhe kur ka qenë në momente të këqija financiare me jo futbollistë shumë të mirë dhe skuadër jo cilësore, prap ka qenë aty diku, në mes të tabelës, lartë, poshtë. Mendoj se nëse ka një organizim më të mirë nuk ka mundësi të paktën mos te jetë pretendentë për në Europë” – tha Fakiq në emisionin “Sportmania” të udhëhequr nga Faton Zylbehari në TV Shenja.

Sponzori i ri i FC Shkupit do të prezantohet në mënyrë solemne gjatë ditës së sotme, kur krerët e skuadrës nga Çairi njëkohësisht kanë përgatitur edhe një koktel në “Bushi Resort – Spa” në vigjilje të 90-të vjetorit të themelimit të këtij klubi.

Leave a Reply