ZYRTARE, Ronaldinjo i dha fund futbollit aktiv (VIDEO)

Legjenda braziliane, Ronaldinjo, edhe përfundimisht ka ndërprerë karrierën e tij aktive në futboll. Lajmin e ka konfirmuar vëllai i tij, Roberto de Asis, i cili njëherit ishte edhe agjenti i tij. Ai tha se nuk ka gjasa që ish futbollisti i PSZH-së, Barcelonës dhe Milanit të kthehet të luaj futboll profesional.

“Ronaldinjo i ka dhënë fund futbollit. Ekziston mundësia që pas Botërorit në Rusi të organizojmë diçka të madhe, ndoshta gjatë muajit gusht. Do të organizojmë ngjarje të madhe sportive në Brazil, Europë dhe Azi. Gjithashtu planifikojmë edhe një ndeshje lamtumirëse me fanellën e kombëtares së Brazilit” – tha vëllai i futbollistit të magjikshëm me numër 10-të, në një deklaratë për “Globo”.

Për herë të fundit Ronaldinjo si profesionist kishte luajtur gjatë vitit 2015-të me fanellën e Fluminenzes.

Në karrierën e tij të bujshme ai kishte luajtur edhe me Gremion, PSZH-në, Barcelonën, Milanin, Flamengon, Atletiko Mineiron dhe skuadrën meksikane të Keretaro.

Fantaziti gjatë karrierës së tij u bë kampion Bote me Brazilian gjatë vitit 2002, ndërsa përveç këtij titulli ai me Brazilin fitoi Kupën e Konfederatave (2005) dhe “Copa America” (1999).

Në nivel klubesh Ronaldinjo me Barcelonën në vitin 2006 triumfoi në Ligën e Kampionëve, gjatë viteve 2005 dhe 2006 fitoi nga dy tituj, kampion dhe Superkupën e Spanjës, që më pas me Milanin të shpallet kampion i Italisë (2011), ndërsa dy vite më pas kishte arritur që të fitoj “Copa Libertadores”. Gjatë vitit 2005 braziliani kishte fituar “Topin e Artë”. Kohëve të fundit Ronaldinjo vazhdimisht po merrë pjesë në ndeshje bamirësie.

Leave a Reply