Ismaili do të mbajë mend debutimin e tij me Besën e Pejës (VIDEO)

Taulant Ismaili do të mbajë mend gjatë kohë debutimin e tij me fanellën e Besës nga Peja. Një ndër lojtarët më të mirë shqiptarë të futbollit në palestër vetëm ditë më parë nga Feniksi u transferua bashkë edhe me Ferid Agushin dhe Dragan Petroviçin te skuadra pejane, e cila stinorin pranveror e nisi me këmbë të mbarë, duke shënuar fitore në transfertën ndaj Drenicës me rezultatin 3:4, njofton “infOSport.mk”.

Pikërisht Ismaili ndodhi të jetë figura qendrore e këtij takimi, pasi përveç që debutoi me gol, njëkohësisht iu anulua edhe një tjetër, ndërsa u ndëshkua edhe me kartonë të kuq.

Ismaili shënoi golin e dytë për Besën, kur barazoi shifrat në 2:2, teksa golin e fitores për pejanët e realizoi ish kapiteni i Futsal Shkupit, Orhan Ibishi. Përveç dyshes shkupjane autorë të golave për Besën e Pejës në këtë përballje ishin edhe Jeton Rukovci dhe Agon Rexha, ndërsa bashkë me Ismailin debutimin e tyre bënë edhe Ferid Agushi dhe Dragan Petroviç.

Me këtë fitore Besa arrinë në kuotën e 24 pikëve dhe aktualisht mban pozitën e tretë, ndërsa me 27 pikë dhe një ndeshje më pak Feniksi mban pozitën e parë, duke lënë pas vetes Liburnin me 25 pikë. Këta të fundit stinorin pranveror e nisën furrishëm, duke mundur ekipin e Mitrovicës me rezultatin 14:1.

Leave a Reply