Struga Trim Lum fiton dhe kreun sulmon

Brenda një jave jo të plotë Struga Trim Lum dhe Zajazi takohen dy herë mes vete, dhe që në të dyja ndeshjet ishin struganët që iu gëzuan fitores, njofton “infOSport.mk”.

Pas fitores 5:1 në ndeshjen e së shtunës së kaluar (31 mars), Struga Trim Lum sot në ndeshjen e javës së 19-të  shënoi edhe një fitore tjetër të madhe, kësaj rradhe me rezultatin 4:1.

Figurë qendrore te skuadra e Struga Trim Lum doli të jetë sulmuesi Bllagojçe Gllavevski, i cili realizoi “hat-trik”, teksa një gol tjetër shtoi kapiteni, Flamur Tairi.

Mysafirët nga Kërçova përveç golit të vetëm, në minutën e 80-të nga pika e bardhë kishin mundësinë të shënojnë edhe golin e dytë, mirëpo në këtë rast në skenë doli portieri i talentuar tetovar i Struga  Trim Lum, Burim Havziu.

Me këtë fitore Struga Trim Lum tashmë renditet në pozitën e dytë me 33 pikë, vetëm një pikë më pak se Gostivari në vendin e parë, skuadër kjo e cila ndeshjen e javës së 19-të në Ligën e Dytë – Perëndim do ta zhvillojë gjatë ditës së nesërme kundër EuroMilkut si vendas, transmeton “infOSport.mk”.

Me ndeshjen e sotme filloi edhe raundi i tretë i garave në këtë ligë, ku do të vendoset se cila skuadër do të sigurojë një vend në Ligën e Parë, kush do të luaj në balotazh dhe cilat skuadra do të zbresin një kategori më poshtë.

 

Leave a Reply