Drita e Gjilanit kampione e Kosovës

Drita është kampion i ri i Vala Superligës së Kosovës në futboll. Skuadra e drejtuar nga Bekim Isufi, në ndeshjen e fundit të kampionatit 2017/18, që u zhvillua sot në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë, ka arritur të barazojë pa gola me Prishtinën (0:0), rezultat ky i cili ia mundësoi t’i gëzohet titullit të dytë në histori të klubit pas atij në vitin 2003.

Kësisoj, Drita e mbylli kampionatin me 67 pikë, tri më shumë se Prishtina dhe me një rekord prej 29 ndeshjeve radhazi pa humbje.

Kësisoj Drita do të përfaqësojë Kosovën në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, derisa Prishtina për të dytin vit rresht do të luajë në Liga Europa.

Drita, e cila ishte e favorizuar për shkak se i shkonin përshtati tri rezultate, humbja me një gol diferencë, barazimi dhe normalisht fitorja, u tregua shumë më e qetë dhe me mençuri të madhe e menaxhoi lojën, duke mos e lejuar thuajse për asnjë moment Prishtinën ta rrezikojë portën e Leutrim Rexhepit.

Kësisoj në fund me plotë meritë iu gëzuan titullit të kampionit, ndërsa vlen të ceket se Prishtina ndeshjen e mbylli me 9 futbollistë në fushë, pas përjashtimit të dy futbollistëve të saj me më përvojë, Debatik Curri në minutën e 32-të dhe Armend Dallku në minutat shtesë të takimit.

Medaljet për kampionët i shpërndanë presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, kryeministri, Ramush Hajradinaj, nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, derisa trofeun e kampionit kapitenit të Dritës, ia dorëzuan së bashku presidenti Vokrri dhe kryeministri i Kosovës, Haradinaj.

Leave a Reply