Derbi shqiptarë, FC Shkupi-Shkëndija të dielën, FFM cakton arbitrin

Java e katërt në elitën e futbollit vendor do të na sjellë derbin shqiptarë midis FC Shkupit dhe Shkëndijës, njofton “infOSport.mk”.

Do të jetë kjo një super ndeshje, në të cilën të dyja skuadrat imperativ do të kenë fitoren, me “bardhekaltërit” nga Çairi që kërkojnë edhe fitoren e parë, mirëpo tashmë me trajnerin e ri, turkun, Hajati Sojdash. Ky i fundit prej dje edhe zyrtarisht morri drejtimin e skuadrës shkupjane, ndërsa gjithashtu për së afërmi të hënën ndoqi lojën e kundërshtarit të tij të ardhshëm, Shkëndijës.

Mbetet të shihet nëse  ka analizuar mirë “kuqezinjtë” e Qatip Osmanit, të cilët sonte kanë një detyrë tjetër më të rëndësishme, ndeshjen e kthimit të “play-off” të Liga Europa kundër Rosenborgut, ku kërkojnë të shkruajnë historinë, kualifikimin për herë të parë në grupet e Liga Europa.

Pikërisht kjo ka bërë  që ndeshja mes FC Shkupit dhe Shkëndijës të zhvillohet të dielën, një ditë më vonë nga ndeshjet tjera të kësaj jave. Ndeshja midis dy skuadrave shqiptare do të zhvillohet në Çair, ndërsa drejtësinë e këtij takimi shumë të rëndësishëm do ta ndajë strugani Jovan Kaçevski, të cilit do ti ndihmojnë bashkëqytetari i tij Laze Çakareski, që do të luaj rolin e ndihmësit të dytë, ndërsa si ndihmës i parë do të jetë arbitri nga Gostivari, Slagjan Markoski. Edhe arbitri i katërt vjen po nga Gostivari, dhe është shqiptarë, Ebrar Taravari, ndërsa dy arbitrat shtesë që do qëndrojnë pranë golit, do të jenë Bobi Veliçkov nga Velesi dhe Nderim Tefiku nga Kumanova.

Ndeshja FC Shkupi – Shkëndija (2 shtator) starton në ora 16:15.

Leave a Reply