Njihuni me futbollistin shqiptarë që paguhet më shumë se Ibrahimoviç në MLS

Shkëlzen Gashi mbyll këtë fundjavë sezonin e tij të tretë në radhët Kolorado Rapids dhe me shumë mundësi, vitin e tij të fundit në MLS si një prej yjeve të këtij kampionati ku me përjashtim të sezonit të parë, ka lënë pak shenjë në fushë e lojës.

Futbollisti shkëlqeu në vitin e tij të parë me Kolorado Rapids, në 2016-tën, por më pas, si pasojë e dëmtimeve të njëpasnjëshme dha një kontribut të vogël në krahasim me pritshmërinë, edhe pse afrohej si një golashënues me emër nga skuadra amerikane. Lojtarit iu vu një rrogë ylli në momentin kur firmosi në SHBA dhe vetëm vitin e parë e justifikoi shifrën prej 1,66 milionë dollarësh që përfiton në vit me 10 golat e tij duke udhëhequr ekipin në ‘play-off’.

Edhe vitin e kaluar, dhe sezonin aktual, sipas të dhënave zyrtare të publikuara në SHBA, ai ka përfituar të njëjtën shumë, por duke shënuar vetëm 2 gola me skuadrën e tij që ka qëndruar zakonisht në fundin e tabelës së klasifikimit.

Me publikimin e rrogave zyrtare të këtij sezoni, Gashi e sheh veten përsëri mes 20 më të paguarve në MLS, një ndryshim i madh sidomos në raport me kontributin që ka dhënë në fushë, ku ka luajtur vetëm 739 minuta, as 9 ndeshje të plota, shkruan ‘vipsport.al’.

Si për ironi të fatit, ai paguhet edhe më shumë se Zlatan Ibrahimoviç, i cili ka një rrogë prej 1.5 milionë dollarësh te LA Galaksi, por ndryshe nga Gashi ka shënuar 22 gola. Kjo pasi pjesën tjetër të të ardhurave Ibra e përfiton nga sponsorizimet që i ka siguruar klubi amerikan, i cili është i detyruar të vendosë limite në rroga në bazë të rregulloreve.

Më shumë se Gashi ka shënuar edhe Hyka, i cili ka gjetur tre herë rrugën e rrjetës, por ka përfituar vetëm 539 mijë dollarë rrogë gjatë këtij sezoni. Gjithsesi, mesfushori mund të ngushëllohet me faktin se e ka thuajse të sigurt rinovimin dhe një vit me San Hoze, ndryshe nga Gashi, i cili pritet të lihet lojtar i lirë.

Leave a Reply