Azdren Llullaku vjen me dy gola në Rumani

Azdren Llullaku është lider i skuadrës së Astras në Rumani. Nga dita në ditë dhe nga ndeshja në ndeshje, sulmuesi i kombëtares shqiptare, është duke treguar se po kalon një tjetër moment të shkëlqyer në karrierë. Ka qenë mbrëmja e sotme në ndeshjen e Kupës së Rumanisë, ajo që konfirmon shkëlqimin e Llullakut.

Skuadra e Astras, ku luan dhe sulmuesi shqiptar, është ndeshur për 1/8-at e Kupës së Rumanisë, me skuadrën e Cluj. Sfida ka nisur mirë për këta të fundit, të cilët që në minutën e dytë të takimit kalojnë në avantazh, ndërsa në harkun e 5 minutave shënojnë dhe dy golat të tjerë, përkatësisht në minutën e 5` dhe të 8`.

Rezultati 3-0 në pak minuta nuk i mposht aspak psikologjikisht lojtarët e Astras, të cilët në minutën e 14` fitojnë një penallti. Kjo i besohet futbollistit të kombëtares shqiptare, Azdren Llullakut, që ekzekuton saktë dhe ngushton shifrat.

Në minutën e 24` vendasit shënojnë një autogol, ndërsa në pjesën e dytë të lojës Llullaku do të vendoste barazpeshën në fushën e lojës. Ishte minuta e 75` e takimit kur sulmuesi shqiptar shënon golin e barazimit për Astran, që e mbyll kohën e rregullt me rezultatin 3-3.

Ndeshja shkon në shtesë, për të përcaktuar skuadrën që vazhdon më tej. Të mbetur dhe me një lojtar më pak në fushën e lojës, futbollistët e Cluj e shohin veten në disavantazh në minutën e 9` të pjesës së parë të shtesës, pasi Astra përfiton nga një tjetër autogol i futbollistëve të Cluj. Kështu skuadra e Llullakut avancon më tej në Kupën e Rumanisë./telesport

Leave a Reply