Zekirja Ramadani konfirmon transferimin e parë te Ferronikeli

Skuadra nga Drenasi, Feronikeli që drejtohet nga strategu shkupjan, Zekirja Ramadani tash e disa ditë ka filluar përgatitjet për stinorin pranveror në elitën e futbollit kosovar.

Edhe pse koha është jo optimale për stërvitje, skuadra nga Drenasi vazhdon të stërvitet në fusha të mbyllura.

Deri më tani skuadra e Feronikelit nuk është që ka bërë ndonjë transferim të madh, përpos rikthimit të Hamed Kone, 31 vjeçari i cili u rikthye te Feronikeli pas një sezoni të cilin e kaloi në Zvicër.

Trajneri shkupjan, Zekirja Ramadani, u shpreh i lumtur me kontingjentin e lojtarëve të cilët i ka në dispozicion dhe me kushtet të cilat kryesia e klubit vazhdimisht po mundohet t’i përmirësojë por gjithashtu edhe me pjesën tjetër të stafit.

“Mund të themi se duhet të jemi të kënaqur pas asaj që kemi punuar dhe serioziteti i futbollistëve më bënë që të jem i kënaqur dhe të kem një motiv për punë, në çdo stërvitje kanë qenë shumë të motivuar”, – pohoi ai për KosovaPress.

Ramadani është i kënaqur me skuadrën që ka në dispozicion dhe thotë se s’ka nevojë për përforcime.

“I vetmi që është konfirmuar është Kone, dhe ai vjen ditën e hënë fillon me ekipin, dhe unë mendoj që kontingjentin që kemi ne, nuk kemi nevojë për shumë përforcime duke e parë edhe rezultatet ku jemi, d.m.th që i kaluam në stinorin vjeshtor kishim rezultate mjaftë të mira, kemi një konkurrencë të shëndosh dhe nuk kemi nevojë për të bërë shumë lëvizje se dihet që edhe në janar nuk mund të bëjmë edhe shumë lëvizje, pasi që dihet se shumica e lojtarëve kualitativ janë me kontrata dhe neve nuk na nevojitet numër ose një lojtar i cili është i barabartë me lojtarët që kemi”, – deklaroi Ramadani.

Feronikeli e përfundoi sezonin vjeshtor në vendin e dytë më një pikë më pak se skuadra kryesuese e Prishtinës, andaj do të synojë që këtë vit të fitojë kampionatin, si dhe Kupën e Kosovës, në mënyrë që të sigurojë një vend për në garat evropiane.

Leave a Reply