Përforcimi më i ri i FC Shkupit tregon se kush e bindi që të vishet ‘bardhekaltër’

FC Shkupi gjatë ditës së sotme prezantoi edhe përforcimin e tretë gjatë këtij afati kalimtarë, duke nënshkruar me sulmuesin e krahut të djathtë, Berat Xhonatan Ustabashi. 24-vjeçari me ekipin ‘bardhekaltër’ nga Çairi nënshkruajti kontratë 18 mujore, ndërsa në një prononcim për sajtin zyrtarë të klubit të tij të ri, ai zbuloi edhe shkaktarin kryesor që bindi të veshë fanellën e skuadrës shkupjane.

“Jam shumë i gëzuar që kam nënshkruar me Shkupin, është një mundësi e mirë për mua që të luaj në ligën më të mirë të Maqedonisë. Nuk kam qenë kurrë më parë në Maqedoni dhe kjo do të jetë një përvojë e mirë dhe shumë interesante. Sigurisht se shkaktar kryesor për ardhjen time në Shkup është trajneri, të cilin e kam përcjellë më parë dhe kam qenë një fans i madh i tij. Sigurisht se jam i emocionuar që do të mësoj shumë nga trajneri Umit Karan dhe shpresoj të bëhem edhe më i mirë” – është shprehur Ustabashi.

Ustabashi gjatë karrierës së tij ka luajtur me ekipin e dytë të Denizlispor, Fethiyespor, Yesil Bursa, për të kaluar më pas te ekipi i Bursaspor, ndërsa së fundmi ishte pjesë e skuadrës së kategorisë së dytë, Bandirmaspor, me të cilën skuadër me 4 janar i përfundoi kontrata. Pasi të njëjtën nuk deshi ta vazhdojë, Ustabashi vendosi të pranojë ofertën e FC Shkupit, që në këtë mënyrë çon në 3 numrin e përforcimeve, pas portierit Enes Azizi dhe mbrojtësit të krahut të djathtë, Filip Ristovski.

Leave a Reply