Distria Krasniqi e artë në “Grand Prix” të Turqisë

Distria Krasniqi ka fituar medaljen e artë në turneun “Grand Prix”  të xhudos, që po mbahet në Antalia të Turqisë.

Xhudistja kosovare në finalen e madhe mposhti kazaken, Otgontsetseg Galbadrakh, duke e hedhur me Ippon, 9 sekonda para fundit, kategoria deri në 48 kilogramë.

Distria deri tek e arta erdhi pas katër lufërave, të gjitha të fituara me Ippon.

Në raundin e dytë (të parin e kaloi pa luftë), Krasniqi mundi Gulkader Senturk të Turqisë, ndërsa në çerekfinale e mposhti sërben Andrea Stojadinov. Viktimë e Krasniqit në gjysmëfinale ishte Yujeong Kang e Koresë së Jugut, ndërsa në finalen e madhe xhudistja nga Kazakistani, Galbadrakh.

Pas këtij suksesi të madh, Distria Krasniqi fitoi 700 pikë olimpike për “Tokio 2020”. Ajo është e vetmja garuese nga Kosova që po merrë pjesë në “Grand Prix” në Antalia të Turqisë, aty ku edhe vitin e kaluar ishte stolisur me të artë, mirëpo në kategorinë -52 kg.

Leave a Reply