Eduardo Reja trajner i ri i Kombëtares shqiptare, zbulohet edhe paga e tij vjetore!

Eduardo Reja do të jetë trajneri i ri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit. Italiani 73-vjeçar do të zëvendësojë bashkëpatriotin e tij, Kristian Panuçi, ndërsa thuhet se zyrtarizimi i tij është vetëm çështje orësh.

Reja ka arritur marrëveshjen me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka dhe pritet të prezantohet ditën e nesërme në krye të stolit “kuqezi”.

Ai do të udhëheq Shqipërinë deri në fund të kualifikueseve të Euro 2020, ndërsa nga kjo marrëveshje, Reja do të përfitojë një pagë prej 450 mijë euro në sezon.

Tekniku italian në këtë mënyrë fitoi garën me dy strategët tjerë italian, Alberto Zakeroni dhe Roberto Danadoni. Eduardo Reja ishte i pranishëm në muajin mars në ”Loro Boriçi”, në Shkodër për të ndjekur nga afër takimin mes Shqipërisë dhe Turqisë ku kuqezinjtë u mundën me rezultatin 0:2.

Debutimin e tij në bankinën e kombëtares shqiptare, Eduardo Reja do ta ketë më 08 qershor kundër Islandës në transfertë, ndërsa vetëm tre ditë më pas do të drejtojë Shqipërinë në stadiumin e ri ”Arena Kombëtare”, përballë Moldavisë, ku shpresojmë që ta nisim me këmbë të mbarë në stadiumin e ri që do të jetë edhe tempulli i Kombëtares Shqiptare në të ardhmen.

Ndryshe Eduardo Reja gjatë karrierës së tij si trajner, ka drejtuar ekipe si Lacio, Napoli dhe Atalanta, ndërsa që nga viti 2016-të ai nuk drejtonte asnjë skuadër, apo kombëtare.

Leave a Reply