Bashkimi thyen dominimin e Prishtinës në basketbollin kosovar (VIDEO)

Skuadra prizrenase e Bashkimit është kampion i ri i Kosovës në basketboll. Mbrëmë Bashkimi arriti deri te fitorja e 3-të e serisë finale të “Play-off-it”, karshi vetëm një fitoreje të Prishtinës.

Basketbollistët e Bashkimit shkëlqyen në takimin e katërt të zhvilluar në palestrën “Sezai Surroi”, duke shënuar në fund fitore me rezultatin 77:61.

Tre çerekët e parë të ndeshjes kaluan në baraspeshë, ndërsa dallimi në rezultat filloi të krijohet në çerekun e fundit, kur i papërmbajtshëm ishte Altin Morina, i cili me depërtimet e tij ndezi atmosferën në palestrën “Sezai Surroi”.

Morina pati tri depërtime të suksesshme duke shënuar 6 pikë, për t’u bërë njëri prej shkaktarëve kryesor për këtë triumf historik të skuadrës  prizrenase.

 

Bashkimi – Sigal Prishtina 77:61 (3-1)

Bashkimi është kampion i IP Superligës së Kosovës në basketboll për edicionin 2017/2018, dhe ky është titulli i parë në histori të skuadrës prizrenase. Ky sukses i jashtëzakonshëm i “Portokallezinjve” u arrit falë formës më të mirë në seritë e finales, ku Bashkimi triumfoi ndaj Prishtinës 3:1 në seri, dhe fituesi i titullit u vendos në palestrën e stërmbushur “Sezai Surroi” në Prizren.

Публикувахте от Sporti në KTV в 23 май 2018 г.

Koshashënuesi më i mirë i ndeshjes ishte qendra prishtinase, Filip Bundovic, që regjistroi 24 pikë dhe 9 kërcime, por kontributi i mangët i bashkëlojtarëve të tij, e la nën hije edhe performancën e tij të shkëlqyer.

Në anën tjetër, basketbollistët e Bashkimit ishin më kompakt, pasi katër prej tyre mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore.

Më i miri prej tyre ishte Aaron Moss me “double-double” prej 17 pikëve e 12 asistimeve, derisa pikë të njëjta pati edhe Mikaile Tmusiç.

Njeriu vendimtar i çerekut të fundit, Altin Morina, takimin e mbylli me 16 pikë, 2 kërcime e 1 asistim, duke i mundësuar në këtë mënyrë kapitenit të tij, Qëndrim Biraj që të ngre lartë trofeun e kampionit, që është i pari në historikun e skuadrës së Bashkimit nga Prizreni.

Leave a Reply