Pas vendimit të fundit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) ndaj KF Shkëndijës, sponsori i klubit tetovar “Ecolog”, ka kërkuar që ky vendim skandaloz sipas tyre, të rishikohet dhe të korrigjohet urgjentisht.
“KF Shkëndija ka qenë ndër klubet e pakta që ka funksionuar me seriozitet, korrektësi dhe përputhshmëri të plotë me obligimet sportive e financiare. Kontributi ynë ndër vite ka pasur kosto, mund dhe sakrifica të mëdha. Për më tepër, Shkëndija është klubi që me paraqitjet dinjitoze në Evropë ngriti koeficientin e ligës, nga i cili përfitojnë të gjitha klubet vendore dhe falë të cilit, nga viti i ardhshëm, futbolli ynë do të ketë një vend shtesë në kupat evropiane.
Prandaj, është e papranueshme që me vendime të marra në tavolinë të dëmtohet një projekt serioz dhe ky kontribut të shpërblehet me goditje të qëllimshme. Kjo qasje na shtyn të shqyrtojmë edhe opsionin e tërheqjes nga klubi/futbolli në Maqedoni të Veriut. Nëse FFM nuk e tërheq këtë vendim, atëherë ne si sponsor do ta shqyrtojmë seriozisht vazhdimin e mëtutjeshëm, pasi që ky vendim i cenon të drejtat dhe politikat e klubit.
Presim që organet e FFM-së të reflektojnë me urgjencë, në interes të drejtësisë sportive, klubit dhe të ardhmes së futbollit në përgjithësi.” – thuhet në Komunikatën e klubit tetovar, që nën udhëheqjen e “Ecolog” është nga 31 korriku i vitit 2013-të.
Nën udhëheqjen e “Ecolog” të Lazim Destanit, Shkëndija e Tetovës fitoi 3 tituj kampion dhe 2 trofe të Kupës, ndërsa gjithashtu kjo skuadër për 14 sezone me rradhë ishte pjesë e kupave europiane, e ku edicionin e kaluar e arriti suksesin më të madh në histori, duke u kualifikuar për në raundin e dytë të garave në Ligën e Konferencës.
