Nuk ishte lehtë, por Tajson Fjuri mbetet i pamposhtur (VIDEO)

Boksieri britanik Tajson Fjuri arriti një fitore shumë të vështirë ndaj suedezit Oto Vallin në mbrëmjen e Las Vegas.

Një ndeshje e cila mund të kishte një fund tjetër pasi që në raundin e tretë Vallin godet në vetull Fjurin duke i shkaktuar çarje. Një dëmtim ky që ndikoi në lojën e britanikut pasi hemoragjia nuk e lejonte të shikonte.

Gjyqtari i ndeshjes e ndërpreu lojën në mënyrë që stafi mjekësorë t’i vinte në ndihmë Fjurit, ndërkohë që ata e lejuan të vazhdojë më tej. Katër raundet e para ishin në favor të suedezit.

Por në raundet në vazhdim Tajson Fjuri u këndell, teksa në raundin e 7-të, britaniku hodhi ne dysheme kundërshtarin e tij, i cili ishte tepër solid duke i rezistuar asaj goditje.

Ky i fundit shënjestronte plagën e britanikut por ai u mbrojt më së miri.

Raundi i 12-të ishte shumë intensiv për Fjurin i cili mori shumë goditje në vetull por arriti që ta mbyllte edhe raundin final pa u dorëzuar.

Britaniku e fitoi ndeshjen me anë të pikëve ku 3 gjyqtarët e vlerësuan me 116-112, 117-111 dhe 118-110. Për suedezin Vallin ishte kjo disfata e parë, pas 20 fitoreve të njëpasnjëshme.

Përballja e rradhës për Fjurin do të jetë me 22 shkurt të vitit të ardhshëm kundër Deontej Vilder.

Leave a Reply