Elton Cale te Shkëndija! Ja çfarë thotë menaxheri i brazilianit

Me prezencën e Ernest Gjokës në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë, ku strategu i Shkëndijës vendosi të ndjek për së afërmi ndeshjen midis Tiranës dhe Flamurtarit, menjëherë filluan zërat rreth ndonjë transferimi të mundshëm në rradhët e “kuqezinjëve” nga Tetova.

Për më tepër që Gjoka shoqërohej nga menaxheri i njohur shqiptarë, Andi Matraxhiu, mediat shqiptare madje zbuluan emrin e futbollistit për të cilin gjoja trajneri i Shkëndijës paska vendosur ta ndjek për së afërmi. As më pak, e as më shumë fjala ishte për Elton Cale të Tiranës, i cili është në pronësi të dyshes së menaxherëve Andi Matraxhiu – Florjan Biba.

Ndërkohë për të qartësuar gjërat “infOSport.mk”, kontaktoi drejtëpërdrejtë me Matraxhiun, i cili hodhi poshtë këto zëra.

“Elton Cale ka kontratë me skuadrën e Tiranës. Profesor Nesti (Ernest Gjoka), është një mik që e takoj jo vetëm nëpër ndeshje futbolli, por takohemi gjithnjë. Nuk ka asnjë diskutim lidhur me Elton Cale, këto janë zëra që kanë dalë nga njerëz që s’ja duan të mirën Cale-s. Njerëz jo profesionist që kanë pritur që Cale të shënoj nga 4 gola në çdo ndeshje. Nëse ka diçka konkrete lidhur me Cale-n, në fillim do ta marrë vesh skuadra e Tiranës, sepse kontrata e tij është 2 vjeçare dhe mbaron në fund të sezonit 2020-2021” – u shpreh enkas për “infOSport.mk” menaxheri i futbollistit brazilian, Andi Matraxhiu.

31-vjeçari Cale është një ndër futbollistët më të mirë në formacionin e Tiranës, për të cilën skuadër këtë edicion ka regjistruar 12 paraqitje, 1 gol të shënuar dhe 2 asiste.

Leave a Reply