Bruno Dita debutoi me fitore te Shkëndija

Përforcimi më i  fundit i Shkëndijës, Bruno Dita, ka debutuar me fitore me fanellën “kuqezi”, njofton “infOSport.mk”. I ardhur vetëm një ditë më parë nga rradhët e Skënderbeut, Dita, u inkuadrua në lojë gjatë pjesës së dytë në përballjen ndaj Bregallnicës, ndaj së cilës skuadër të besuarit e trajnerit Ernest Gjoka shënuan fitore 2:0.

Edhe përkundër tentativave të shumta nga ana e futbollistëve të Shkëndijës gjatë pjesës së parë, e njëjta u mbyll me barazim pa gola, ndërkohë fillimi i pjesës së dytë solli epërsi për “kuqezinjtë” që shfrytëzuan një pakujdesi të vendasve kur portieri pranon me duar topin e kthyer nga bashkëlojtari.

Pas kombinimit të shkurtër nga goditja indirekte, Besart Ibraimi në minutën e 58-të me një goditje nga 6-7 metra shënoi në rrjetën e vendasve për 1:0.

Pas këtij goli, trajneri Gjoka vendosi të bëjë plotë 6-të zëvendësime, duke vendosur në lojë edhe përforcimin e fundit, Bruno Dita.

Vendasit shkuan pranë barazimit në minutën e 76-të kur një harkim i mirë pritet nga Naumov, por goditja e tij me kokë shkoi skaj shtyllës.

Shkëndija golin e dytë e gjeti 8 minuta para fundit, kur harkimi i Nafiut gjeti në zonë Sadriun, i cili me kokë shënoi për 2:0.

Kështu Shkëndija fiton edhe ndeshjen e fundit kontrolluese para startit të sezonit të ri që nis fundjavën e ardhshme. “Kuqezinjtë” nga Tetova ndeshjen e tyre të parë do ta zhvillojnë kundër FC Shkupit në Çair.

Leave a Reply