Një afrim dhe një largim nga Interi

Pas Hakimit, Vidalit dhe Kolarovit, Interi ka zyrtarizuar një tjetër afrim në merkato, duke “blinduar” kështu repartin difensiv. Bëhet fjalë për mbrojtësin Mateo Darmian, i cili në “Xhuzepe Meaca” vjen nga rradhët e Parmës.

30-vjeçari italian te Interi do të luaj si i huazuar me të drejtë blerje në fund të sezonit. Ai ishte një preferencë e trajnerit Konte, teksa me shumë gjasa do të jetë një alternativë në stolin “zikaltër”.

Për momentin në krahun e djathtë të mbrojtjes, titullarë i padiskutueshëm është Ashraf Hakimi, futbollisti i ardhur nga rradhët e Realit të Madridit, por që së fundmi në formë huazimi luante në Gjermani te Borusia e Dortmundit.

Ndërkohë përveç këtij afrimi të fundit të Mateo Darmian, nga tabori i skuadrës “zikaltër” kanë njoftuar edhe për largimin e mbrojtësit të krahut të majtë Asamoah.

Leave a Reply