Angellovski: Humbëm nga një gol naiv

Igor Angellovski ka pësuar disfatën e parë si trajner i Maqedonisë në vitin 2020, edhe atë në një moment shumë të vështirë, njofton “infOSport.mk”. Përfaqësuesja futbollistike e vendit në ndeshjen vendimtare që vendoste se cila prej dy kombëtareve do të luaj në Divizionin B të Ligës së Kombeve, u mund minimalisht 1:0 në Nikozia të Qipros nga Armenia.

Pas këtij takimi Angellovski në konferencën e zakonshme për shtyp, tha se tek futbollistët ndjehej një lodhje dhe se skuadra e tij nuk e kishte të lehtë të luante në mungesë të 8 futbollistëve titullarë.

“Pranuam një gol shumë naiv, Armenia nuk ishte kundërshtarë më i mirë se ne. Ne nuk i shfrytëzuam rastet tona gjatë pjesës së parë, kur edhe ishim më të mirë dhe mendoj se kjo ishte vendimtare. Normalisht që nuk është e mirë ndjenja kur humbesh, mirëpo nuk mundet që të fitojmë edhe në çdo ndeshje. Me rëndësi është se arritëm qëllimin, kualifikimin në Kampionatin Europian të vitit të ardhshëm” – tha seleksionuesi  Igor Angellovski pas përfundimit të ndeshjes.

Maqedonia pas 6 xhirove në grupin “C” të Ligës së Kombeve u rendit në pozitën e dytë me 9 pikë, dy më pak se Armenia që edicionin e ardhshëm do të luaj në Ligën “B”.

Leave a Reply