Buzëqesh Zidane, rikuperohen 4 futbollistë të lënduar, mes tyre edhe Ramos

Bankina e Zinedine Zidane është tronditur ndjeshëm pas rezultateve negative të Realit të Madridit javët e fundit dhe e mërkura do të jetë një mbrëmje vendimtare, pasi skuadra do të diskutojë kalimin në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve.

“Mbretërit” do të presin gjermanët e Borusia Menhengladbah, në një sfidë ku vetëm fitorja u garanton 100% kualifikimin, ndërsa humbja i lë jashtë dhe barazimi i lë të varur nga rezultati i ndeshjes mes Interit dhe Shakhtar Donetskut.

Megjithatë trajneri francez mund të jetë i kënaqur, pasi për këtë ndeshje ka arritur të rikuperojë 4 futbollistë, dy prej të cilëve titullarë të rëndësishëm të repartit të prapavijës.

Bëhet fjalë për kapitenin Serhio Ramos, i cili u dëmtua në ndeshjen mes Spanjës e Gjermanisë dhe ka qëndruar më shumë se tre javë pushim, por tani është plotësisht gati të japë kontributin e tij në fushën e lojës dhe në gjendjen psikologjike të shokëve të skuadrës.

Gjithashtu është rikuperuar plotësisht edhe Dani Karvahal, i cili pritet të rikthehet titullar në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa në dispozicion të Zidane do të jenë normalisht edhe mbrojtësi Alvaro Odriozola e sulmuesi Luka Joviç.

Mungesa e vetme me peshë për trajnerin francez është ajo e sulmuesit belg Eden Hazard, që gjithsesi pritet të zëvendësohet nga Asensio ose Vinicius Junior, ndaj Zidane pritet të hedhë në fushë më të mirët për përballjen me skuadrën gjermane.

Leave a Reply