Xhoshua mbetet “mbreti”, bullgari nokautohet në raundin e 9-të dhe nuk çohet më (VIDEO)

Britaniku Entoni Xhoshua ka arritur që të mbrojë titullin kampion bote në peshën e rëndë në versionet IBF, WBA, WBO, pasi mposhti bullgarin, Kubrat Pulev me nokaut, edhe atë në raundin e 9-të.

Xhoshua tregoi forcën e tij që në raundin e tretë, ndërkohë që në të nëntin dha goditjet fatale.

Raundi i parë ishte njohës, me dy boksierët që më shumë ruheshin dhe studionin njëri-tjetrin. Në të dytin Pulev tentoi të befasonte me të majtën e tij të shpejtë dhe në një moment e kapi Xhoshuan, por më parë kishte marrë disa goditje, mes tyre një nga poshtë në mjekër.

Raundi i tretë ishte spektakolar, me Xhoshuan që lëshoi një breshëri grushtesh ndaj Kobrës bullgare. Ky u fundit përfundoi dy herë i shtrirë, por nuk u dorëzua. Ai u çua në këmbë dhe ia doli ta vazhdonte duelin.

Jo vetëm kaq, por mori edhe raundin e katërt dhe të gjashtë, duke u munduar në çdo moment ta godasë Xhoshuan. Ky i fundit sigurisht që e shfrytëzoi elementin gjatësi, duke e mbajtur larg 40-vjeçarin.

Britaniku në raundin e shtatë i dha disa goditje të forta Pulevit, por ai vijoi të qëndronte në këmbë. Edhe raundi i tetë shkoi për Xhoshuan, ndërkohë që në të nëntin bullgari përfundoi dy herë i shtrirë në tapet, derisa herën e dytë nuk ia doli më dot.

Xhoshua festoi dhe konfirmohet kampion bote, duke e çuar në 25 numrin e fitoreve, 22 prej të cilave me nokaut. Në anën tjetër për bullgarin Kubrat Pulev kjo ishte humbja e dytë në 30 duelet e zhvilluara gjatë karrierës së tij. (abcnews.al)

Leave a Reply