Agim Ibraimi flet për ecurinë e Kukësit

Kukësi po gëzon një formë shumë të mirë këtë edicion në Superligën shqiptare, teksa ka fituar 5 ndeshjet e fundit në kampionat, duke u renditur kështu në pozitën e dytë me vetëm tre pikë larg Vllaznisë kryesuese.

Ekipi i Skënder Gegës do të luajë nesër në transfertë kundër Kastriotit, teksa shpreson që Laçi me trajnerin e ri Shpëtim Duro, të ndalë shkodranët në Laç.

Kapiteni i ekipit verilindor, Agim Ibraimi ka folur rreth situatës në skuadër. Kukësi e nisi sezonin jo mirë, humbi dy takimet e para dhe goleadori nga Tetova flet se çfarë ndikoi te kthesa pozitive.

“Mendoj se jemi në rrugën e duhur. Humbjet në fillimin e kampionatit ishin një mësim i fortë dhe i mirë për ne. Nuk e humbëm harmoninë dhe besimin që kishim te njëri-tjetri. Pas atyre ndeshjeve, i zbatuam me sukses rregullat dhe detyrat që na dha profesori. Jemi në rrugën e duhur, por nuk do të thotë kjo se kampionati ka mbaruar. Duhet marrë çdo ndeshje me shumë seriozitet dhe të synojmë për objektivat që ka klubi. Jemi mjaft grup i mirë, kemi bashkëpunim shumë të mirë ndërmjet vetes dhe besoj në sukseset e ardhshme“, – është shprehu Agim Ibraimi.

Ish futbollisti i Shkëndijës aktualisht me Kukësin ka shënuar 4 gola, vetëm një gol më pak se dy futbollistët që mbajnë kreun në listën e golashënuesve, bashkëlojtari Eze dhe Nvabueze i Laçit.

Leave a Reply