Ish futbollisti i Tiranës opcion për postin e trajnerit te FC Shkupi!

Pas largimit të Umit Karan, FC Shkupi është në kërkim të trajnerit të ri, ndërsa së fundmi në skenë kanë dalë dy emra, që vijnë nga trojet jashtë Maqedonisë, shkruan “infOSport.mk”.

Fjala është  për strategun turk Hasan Ozer, i cili nuk është se ka ndonjë CV të pasur si trajner kryesor, pasi në pjesën më të madhe të karrierës së tij ka punuar si asistent, teksa së fundmi një rol të tillë luajti te skuadra e Jeni Malatyaspor. Ndërkohë si kryetrajner  kishte udhëhequr ekipin boshnjak të Çelik nga Zenica, edhe atë në vetëm 6 ndeshje, ku kishte arritur 2 fitore, 3 barazime dhe 1 disfatë.

Një emër tjetër që përflitet se mund të marrë timonin e FC Shkupit, është edhe ai i Mladen Zhizhoviç. Bëhet fjalë për një trajner mjaft ambicioz, i cili ishte aktiv deri me 26 dhjetor, duke udhëhequr me mjaft sukses për 13 muaj e gjysmë ekipin e Zrinjski Mostar.

Ai skuadrën nga elita e futbollit boshnjak e udhëhoqi në 28 ndeshje, duke regjistruar 17 fitore, 5 barazime dhe 6 disfata. Nën drejtimin e tij, Zrinjski Mostar, luajti në ndeshjet e Liga Europa, duke arritur deri në fazën e tretë, kur u mundën nga APOEL Nikozia, edhe atë vetëm pas ruletit të penaltive, transmeton “infOSport.mk”.

Gjatë karrierës së tij si trajner, Zhizhoviç, kishte udhëhequr edhe ekipin e Radnik Bijeljina, ndërkohë si futbollistë i njëjti përveç karrierës në vendlindje, për një vit të plotë kishte luajtur edhe në Shqipëri, duke mbrojtur ngjyrat e Tiranës.

Ai pjesë e “bardhebluve” të Tiranës ishte në sezonin2010/2011, duke regjistruar 17 ndeshje dhe 1 gol të shënuar.

Leave a Reply