Taulant Seferi më në fund prezantohet te Tirana

Taulant Seferi është prezantuar te skuadra kampione e Shqipërisë, Tirana. Ai te skuadra nga kryeqendra shqiptare vjen në formë huazimi nga rradhët e Jang Bojs, ndërsa para mediave, futbollisti kumanovar tregoi prapaskenat e firmosjes me kampionët në fuqi të Shqipërisë.

“Po ju tregoj se kisha një parakontratë me një ekip në Zvicër dhe po rrija në shtëpi. Më mori drejtori Osmani në telefon dhe kisha një bisedë shumë të mirë. E njoh që më parë. Nesër morëm ofertën, hymë në negociata dhe çdo gjë shkoi mirë” – tha fillimisht Seferi, i cili tha se përveç që do e ndihmojë Tiranën në arritjen e objektivave, edhe Tirana do e ndihmojë atë që të ecën para në karrierë.

“Nuk jam menduar shumë që të pranoja Tiranën, do ta ndihmoj Tiranën, por dhe ajo do të më ndihmojë mua në karrierë” – vijoi Seferi, i cili pranoi se niveli i futbollit në Shqipëri,është më i lartë se ai në Kosovë dhe Maqedoni.

“Disa ndeshje i kam parë. Futbolli këtu ka më nivel se Kosova dhe Maqedonia. Besoj se do të përshtatem shpejt. Shpresoj të fitojë një eksperiencë shumë të mirë me klubin në këto 6 muaj. Uroj të dalim të gjithë të kënaqur” – theksoi Seferi, i cili nuk la pa ngacmuar edhe rivalët lokal të Tiranës, Partizanin, skuadër kjo që gjithashtu interesohej për shërbimet e sulmuesit të kombëtares shqiptare.

“Nesër do dalë në stërvitje, të mendojmë për Kastriotin. Pastaj do të vijë dhe radha e Partizanit. Jam gjithmonë gati”, – përfundoi Taulant Seferi, për shërbimet e të cilit në lojë ishte edhe Shkëndija e Tetovës.

 

Leave a Reply