Golat dhe rastet nga SuperKupa e Kosovës, Prishtina-Drita (VIDEO)

Sot për herë të parë në historinë e futbollit kosovar, ndeshja e SuperKupës është zhvilluar në Turqi,njofton “infOSport.mk”. Në stadiumin “Mardan” në qytetin e Antalias, mejdanin ndanë Prishtina dhe Drita e Gjilanit. Kjo ndeshje zgjoi shumë interesim edhe në vendin tonë, duke pasur parasysh se këto dy skuadra udhëhiqen nga strateg shkupjan.

Prishtina, që në fund triumfoi me rezultatin 3:1 udhëhiqet nga Zekirja Ramadani, derisa Drita udhëhiqet nga Ardian Nuhiu, me të cilin edicionin e kaluar u shpall kampion. Skuadra gjilanase me Nuhiun në krye edhe stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e parë me 41 pikë, 3 më shumë se Ballkani i vendit të dytë, derisa Prishtina e Ramadanit renditet në pozitën e tretë. Megjithatë me triumfin e sotëm, Prishtina sikur dëshiroi të tregoj se ende nuk e ka dhënë fjalën e fundit edhe në kampionat, dhe se deri në fund do të luftojë për titullin e kampionit.

Ndryshe 3 nga 4 golat e sfidës së sotme në Antalia të Turqisë u shënuan në pjesën e parë, ndërkohë fare në fund Shillova shënoi edhe golin e tretë dhe të sigurisë, duke ju dhënë fund shpresave të Dritës se mund të barazonin rezultatin. Vlen të përmendet se ky takim i organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, u drejtua nga arbitër turq, ndërsa është kjo hera e parë që u zhvillua jashtë kufijve “dardan”.

Ndërkohë në pyetjen e gazetarit të Klan Kosova, Jon Ajeti, nëse kjo do të mbetej si traditë që ndeshjet e SuperKupës të zhvillohen jashtë Kosovës, numri një i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, erdhi me këtë përgjigje: “Do të kisha dashur që çdo kupë dhe festë ta festojmë me tifozët tanë në Kosovë, nuk mund të themi se do bëhet traditë, por sa herë që skuadrat kërkojnë ta zhvillojnë ndeshjen jashtë vendit, ne do të mundohemi t’ia pranojmë kërkesën”.  (infOSport.mk)

Leave a Reply