Ndeshja Andorrë-Shqipëri nuk transmetohet në asnjë nga TV e kundërshtarit!

Shqipëria mbrëmjen e sotme nis rrugëtimin e saj në kualifikueset për Botërorin “Qatar 2022”. Dhe si zakonisht interesimi në Shqipëri, por edhe më gjërë ku jetojnë shqiptarë, për ndeshjet e kombëtares “kuqezi” është shumë i lartë, ndërsa e kundërta ndodh në Andorrë, aty ku ndeshja e sotme do të ndiqet nga vetëm 300 tifozë.

Për më tepër, që është ndoshta edhe absurde, asnjë televizion vendas i Andorrës nuk ka të drejtën për transmetimin e këtij takimi.

Një lajm të tillë e ka përcjellë gazetari Sokol Xhihani për “Supersport”, ku shpjegon gjithçka rreth kësaj çështjeje.

“Mbeta i habitur kur e mësova këtë. Këtu nesër luhet ndeshja mes Andorrës dhe Shqipërisë, por këtu në Andorra nuk e transmeton asnjë prej televizionive. E drejta televizive është shumë e lartë në raport me popullsinë, që është shumë e vogël. Kështu që nuk i shkon për shtat asnjë televizioni ta blejë aq shtrenjtë, sepse ndoshta nuk kanë ku ta shesin. Nëse kanë ndonjë kundërshtar të fortë mundohen ta shohin nëpërmjet kanaleve spanjolle apo franceze. Por në Andorra nuk e shikon asnjë ndeshjen, të paktën nga banorët që janë këtu. Në fakt mbeta i habitur, teksa edhe në konferencën për shtyp nuk kishte as gazetar. Ka vetëm një televizion shumë të vogël. Erdhi vetëm një gazetar. Nesër në stadiumin e Andorrës do të jenë 300 tifozë të pranishëm, 150 pas njërës portë dhe 150 pas portës tjetër”, ka thënë gazetari Sokol Xhihani.

Leave a Reply