Grupi “J”, grupi i çmendurive!

Grupi “J”, ku bënë pjesë edhe Maqedonia e Veriut lirisht mund të quhet grupi i çmendurive. Nëse në të gjitha grupet mund të kemi një përfytyrim të dy ekipeve të para që do të marrin biletën për në Botëror, në grupin “J” po ndodhin surpriza jashtë imagjinatës.

Armenia mori fitoren e tretë radhazi dhe kryeson grupin me 9 pikë, ndërsa pas tyre me 6 pikë renditet Maqedonia e Veriut.

Ekipi përfaqësues i vendit tonë bëri surprizën më të madhe, duke mundur Gjermaninë në transfertë me shifrat 2:1.

Fitorja e të besuarve të Igor Angellovskit në shumë media të njohura në Europë është komentuar thjeshtë: “Fundi i botës erdhi”.

Nuk kishte ndodhur që nga vitit 2001 që Gjermania të humbiste një ndeshje për kualifikueset e Botërorit. E kjo erdhi ndaj Maqedonisë së Veriut, skuadër kjo e cila u kualifikua për herë të parë në Europian dhe ndodhet në vendin e 65 në renditjen totale të FIFA-s.

Në një grup ku Armenia, Rumania, Maqedonia e Veriut, por edhe Islanda kanë pretendimet e tyre, e vetmja gjë që mund të thuhet me siguri është se Lihtshtejni do të mbajë vendin e fundit.

Leave a Reply