Talenti shqiptarë i Bajernit të Munihut i thotë “PO” Kosovës

Një tjetër talent i madh i futbollit ka pranuar ta përfaqësojë Kosovën. Bëhet fjalë për mesfushorin në radhët e gjigantit gjerman, Bajern Munih, Benjamin Dibrani, i cili aktivizohet me ekipin U17 të klubit bavarez.

Ky i fundit gjatë ditës së sotme ka qëndruar në FFK, ku është pritur nga presidenti Agim Ademi. Me këtë rast, ai ka konfirmuar se do të jetë pjesë e “Dardanëve”, duke filluar nga ekipi kombëtar U19, teksa ka thënë se ëndrra e tij është që në të ardhmen ta japë kontributin e tij në përfaqësuesen A të Kosovës.

Presidenti Ademi i ka dëshiruar mirëseardhje talentit të Bajernit të Munihut, duke e uruar për një karrierë sa më të suksesshme.

Ai e ka vlerësuar rolin e madh të Diasporës shqiptare edhe në aspektin e futbollit, ngase përfaqësimi i Kosovës nga talentet e tillë si Dibrani e vërtetojnë atdhedashurinë e përhershme të mërgimtarëve shqiptarë dhe njëherësh e rrisin cilësinë në ekipet zinxhir të përfaqësueses së Kosovës.

Leave a Reply