E bujshme, Tare gati të transferojë një futbollistë tetovar te Lacio

Lacio aktualisht është pa trajner pas largimit të Simone Inzaghit, i cili shumë shpejtë pritet të zyrtarizohet te kampionët e Interit. Ky largim, ndoshta edhe i papritur i Inzagit ka sjellë një detyrë të re për presidentin Klaudio Lotito dhe drejtorin sportiv, Igli Tare, të cilët kanë nisur nga puna për të gjetur trajnerin e ri.

Kandidati kryesor është Mauricio Sarri, por bisedimet me të po zgjasin shumë, duke bërë që dyshja e “bardhebluve” të mendojnë për një plan B.

Lotito mendon të sjellë në kryeqytet trajnerin që fitoi Serie B me Empolin, Alesio Dionisin. Negociatat janë intensifikuar kohët e fundit, ndërsa mësohet se Dionisi ka qenë në zyrat e klubit të hënën për të diskutuar më tepër rreth mundësisë për një marrëveshje.

Por Dionisi nuk do të jetë i vetmi që pritet të vijë nga Empoli. Bashkë me të mund ti bashkohet Lacios edhe talenit shqiptar me origjinë nga Tetova, Nedim Bajrami, i cili shkëlqeu këtë sezon në Serie B.

Kartoni i tij vlerësohet të jetë rreth 12 milionë euro, ndërsa nga kampi “lacial’ janë të gatshëm ti shpenzojnë ato para për fantazistin shqiptar, i cili tashmë u bë i njohur edhe në Shqipëri, pas dëshirës së tij të shprehur për të veshur fanellën “kuqezi”, mirëpo që disa ligje të reja të FIFA-s i pamundësuan debutimin në ndeshjet e marsit, kur edhe ishte grumbulluar nga trajneri Edi Reja.

Leave a Reply