UEFA: Xhaka, lideri i Zvicrës në “Euro 2020(1)”

UEFA beson se Granit Xhaka do të jetë futbollisti kyç në kërkimet e Zvicrës për lavdi në Kampionatin Europian të këtij viti, që nis në fund të javës së ardhshme, më 11 qershor.

Në profilet që shtëpia e futbollit evropian ua ka bërë ekipeve kombëtare, pjesëmarrje në turneun e verës, Xhaka vlerësohet si lideri që do ta shpjerë Zvicrën larg në Euro 2020, raporton Express.

UEFA e përshkruan mesfushorin kosovar të Arsenalit si lojtarin kyç të ekipit helvetik dhe ia thur këto lavde:

“Lojtari kyç: Granit Xhaka. Me ndërhyrje të forta dhe vizion të shkëlqyeshëm, Xhaka është ngjitësi i cili e bën bashkë këtë ekip të Zvicrës. Fakti se Zvicra e dorëzoi një epërsi prej 3:0 kundër Danimarkës pasi ai u zëvendësua në minutën e 79-të për të barazuar në një ndeshje kualifikuese në mars 2019, tregon shumë”.

Zvicra është pjesë e Grupit A bashkë me Italinë, Turqinë dhe Uellsin.

Xhaka është kapiten i Zvicrës që prej shtatorit të vitit 2020, pas pensionimit të mbrojtësit Stefan Lishtajner.

Xhaka, i lindur në Basel nga prindër shqiptar që kishin ikur nga okupimi serb në vitet 90-ta, është shqiptari i parë që emërohet kapiten i Zvicrës.

28-vjeçari beson se kombëtarja helvetike e udhëhequr nga ai dhe Xherdan Shaqiri mund të shkojë deri në gjysmëfinale në këtë Euro.

“Të gjithë ne jemi më të pjekur tani, në cdo aspekt, dhe kemi të ardhme si ekip. Thelbi i këtij ekipi ka vite që punon së bashku. Atmosfera është e mirë”, kishte thënë Xhaka ditë më parë.

Xhaka me kombëtaren e Zvicrës numëron 92 paraqitje dhe 12 gola të shënuar.

Leave a Reply