Euro 2020, dita që dhuron përplasjen e parë të madhe dhe debutimin e Maqedonisë

Kampionati Europian vazhdon sot me tre ndeshje të tjera shumë interesante, që ndonëse janë të parat  në grupet përkatëse, mund të rezultojnë vendimtare për ecurinë e ekipeve në këtë turne.

Supersfida e parë e turneut do të regjistrohet sot në drekë, kur në Grupin “D”, do të vihen përballë Anglia me Kroacinë.

Anglezët duan të thyejnë një tabu, pasi nuk kanë fituar asnjëherë ndeshjen e tyre në Europiane, duke regjistruar 5 barazime e 4 humbje në sfidat e mëparshme. Ecuria pozitive e skuadrës së drejtuar nga Sauthgejt e cila renditet në vendin e katërt në botë, ka bërë që të shkojë në këtë sfidë si favorite, përballë një kundërshtari me të cilin ka pësuar vetëm një humbje në ndeshjet mes tyre.

Por në fakt ajo humbje ka qenë shumë domethënëse dhe do të shërbejë si arsye për hakmarrje, pasi ndodhi në gjysmëfinalet e Botërorit 2018.

Sfida e dytë, do të jetë po aq interesante për tifozët në vendin tonë, pasi Maqedonia do të përballet me Austrinë.

Të gjithë duam të shohim se si do të paraqitet skuadra e drejtuar nga Angellovski, që ka bërë shumë mirë derisa siguroi biletën për pjesëmarrjen e parë në këtë aktivitet. Emra si Alioski dhe Bardhi do të jenë protagonistë në këtë ndeshje, bashkë edhe me Musliun dhe Ademin, gjithë këta të udhëhequr nga kapiteni, Goran Pandev.
Maqedonia i ka vënë si objektiv vetes kalimin e grupit dhe synon që gjithçka ta nisë me një rezultat pozitiv ndaj austriakëve të cilët nuk kanë fituar asnjë ndeshje zyrtare në pjesëmarrjet e tyre në Kampionatet Europiane.

Ndërkohë në darkë, Grupi “C” plotësohet me duelin mes Ukrainës së Andrij Shevçenkos dhe Holandës.

Holandezët kanë një grup me individualistë të jashtëzakonshëm, por në vitin e fundit nuk ia kanë dalë që të tregojnë vlerat e tyre, duke hedhur dyshime të mëdha sidomos mbi trajnerin Frank De Bur.

Holanda ka hesape për të larë me Europianin, pasi mungoi në atë të 5 viteve më parë dhe kthehet në një skenë të rëndësishme për të pasi aty ka fituar trofeun e vetëm madhor në historinë e saj, edicionin e vitit 1988.

Leave a Reply