Ditë e barazimeve për skuadrat shqiptare në LPFMV

4 barazime për 4 skuadrat shqiptare në xhiron e parë të sezonit të ri në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut, njofton “infOSport.mk”.

Pas barazimeve të Shkëndijës, FC Shkupit dhe Renovës më herët gjatë ditës, para pak çastesh edhe Struga Trim Lum u ndal në barazim, edhe atë në transfertën e vështirë ndaj Akademia Pandev në Strumicë.

Kjo ndeshje u zhvillua nën dritat e prozhektorëve në stadiumin “Bllagoj Istatov” në Strumicë, ku vendasit më shumë e dëshironin fitoren, megjithatë Struga Trim Lum edhe njëherë tjetër dëshmoi se tashmë është shndërruar në një skuadër stabile, që sërish do të luftojë për kreun e tabelës.

Këtë më së miri e dëshmon edhe rezultati 1:1 sonte në Strumicë përballë Akademia Pandev, dhe loja e treguar nga ana e futbollistëve të përzgjedhur të Srgjan Zaharievskit.

Emir Skenderi kaloi në epërsi Struga Trim Lumin në minutën e 25-të, derisa barazimin Akademia Pandev e arriti vetëm në pjesën e dytë, më saktësisht në minutën e 54-të me anë të këmbëshpejtit, Martin Mirçevski.

NDESHJET E ORËS 17:30

Ndërkohë në ndeshjet e orës 17:30, dy skuadrat favorite për titullin e kampionit, Shkëndija dhe FC Shkupi nuk shkuan më shumë se barazimi pa gola në transfertat kundër Tikveshit, gjegjësisht Bregallnicës.

Dy skuadrat e rikthyera në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, u treguan një kockë  e vërtetë për dy nga pretendentët kryesor për titull, ndërsa me barazim u ndal edhe Renova e Qatip Osmanit.

“Gjipspunuesit”barazuan 1:1 ndaj Skopjes së rikthyer në LPFMV, kjo për fajin e Hristijan Kirovskit, ish futbollistit të Shkëndijës, i cili në minutën e 78-të barazoi shifrat në 1:1. Golin e parë të këtij takimi dhe avantazhit të përkohshëm për Renovën e kishte realizuar Remzifaik Selmani në minutën e 73-të.

Në dy ndeshjet tjera të ditës së sotme, Makedonija GJ.P, falë golit të shënuar nga Arbi Vosha mundi minimalisht (1:0), Pelisterin, ndërsa me po të njëjtin rezultat, Rabotniçki ngadhnjeu ndaj Borecit. Golin e vetëm dhe të 3-pikëshit të parë në sezonin e ri për “romantikët” e realizoi, Aleksandar Ristevski. (infOSport.mk)

LPFMV,  Java 1 – sezoni 2021/2022

Tikveshi 0:0 Shkëndija
Bregallnica 0:0 FC Shkupi
Renova 1:1 Skopje
Rabotniçki 1:0 Boreci
Makedonija GJ.P 1:0 Pelisteri
Ak.Pandev 1:1 Struga Trim Lum

 

Leave a Reply