Ndeshja Hungari-Shqipëri pa tifoz, ja arsyeja!

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka marrë një “asist” të papritur për ndeshjet e muajit tetor në kuadër të eliminatoreve për Botërorin “Qatar 2022”.

Ndeshjen e 9 tetorit kundër Hungarisë në transfertë, “kuqezinjtë” do ta zhvillojnë pa praninë e tifozëve, si pasojë e një dënimi që ka marrë ekipi vendas për ngjarjet raciste në ndeshjen e luajtur në Budapest në shtator ndaj Anglisë.

Gjatë asaj ndeshje kishte kore raciste dhe hedhje objektesh nga tribunat kundër lojtarëve me ngjyrë të Anglisë dhe FIFA ka arritur në konkluzionin se ka pasur shkelje të rënda të krijuara nga “mbështetës të shumtë me sjellje raciste”.

Hungaria u dënua me një ndeshje me dyer të mbyllura dhe një tjetër të pezulluar, që do të shtohet brenda dy viteve të ardhshme, në rast se do të kishte shkelje të tjera. Përtej këtyre masave, Federata Hungareze është ndëshkuar edhe me 200 mijë franga zvicerane.

Kujtojmë Shqipëria në ndeshjen e parë të grupit “I” undër Hungarisë në Elbasan kishte shënuar fitore. Një fitore tjetër e “kuqezinjëve” do të shtonte edhe më shumë gjasat për atë pozitë të dytë, në të cilën ndodhen aktualisht, edhe pse deri në fund do të kenë një luftë të vërtetë pikërisht me Hungarinë dhe Poloninë, që shihen si rivalët direkt.

Leave a Reply