Manaj zëvendëson Cikalleshin, ja si pritet të jetë formacioni i Shqipërisë ndaj Polonisë

Shqipëria sonte kundër Polonisë do të ketë disa mungesa në formacion, sidomos në repartin ofenziv, aty ku trajneri Edi Reja është i detyruar që të bëjë ndryshime.

Në portë do të jetë përsëri Berisha, ndërsa linja e mbrojtjes me pesë futbollistë do të përbëhet nga tri qendrat Ismajli, Kumbulla dhe Veseli i cili do të zëvendësojë Gjimshitin, derisa krahët do të plotësohen nga Hysaj dhe Trashi.

Përgjegjësitë e mesfushës do të jenë mbi shpatullat e Keidi Bares dhe Klaus Gjasulës, të cilët do të rreshtohen para mbrojtjes për të formuar një mur që do të ndalë dhe thyejë aksionet e lojtarëve polakë.

Ndërsa Bajrami pritet të plotësojë treshen e mesfushorëve dhe të bëjë lidhjen e mesfushës me sulmin duke krijuar aksionet sulmuese të skuadrës.

Reparti i sulmit mendohet se është zgjidhur, performanca e Brojës në ndeshjen e fundit i jep atij një avantazh për ta nisur titullar dhe me shumë mundësi kështu do të jetë.

20-vjeçari pritet të hidhet në fushë që nga minuta e parë, ndërsa mungesën e Cikalleshit në sulm pritet që ta zëvendësojë Rei Manaj, i cili luajti titullar edhe në sfidën e parë ndaj polakëve.

Leave a Reply