FC Shkupi superior në pjesën e dytë ndaj Struga Trim Lum (VIDEO)

Plotë 9 gola në dy ndeshje brenda 7 ditëve për FC Shkupin, që vazhdon efektin e qindtpërqindtë në ndeshjet si vendas gjatë këtij edicioni, njofton “infOSport.mk”.

Pas fitores 5:0 ndaj Pelisterit javën e shkuar, FC Shkupi sot mundi Struga Trim Lumin me shifrat 4:0.

Pjesa e parë ishte e barazpeshuar, me të dyja skuadrat që ishin shumë të rezervuara, ndërsa në disa momente e njëjta na prodhoi edhe tensione mes futbollistëve.

Megjithatë edhe përkundër gjithë këtyre skenareve, gjithçka shkoi mirë deri në fundin e 45 minutëshit të parë, që u mbyll me  rrjeta të paprekura.

Mirëpo ashtu nuk ishte në pjesën e dytë, e cila prodhoi plotë 4 gola, që të gjithë në rrjetën e Davor Taleskit.

I pari që hapi serinë e golave ishte Sandej Adentunxhi, i cili përfitoi nga një harkim i Matej Cvetanoskit nga e majta. Këtij goli i parapriu një super pritje e portierit mysafir, pas goditjes me kokë të Marjan Radeskit.

Ky gol erdhi në minutën e 55-të, ndërsa nuk vonoi shumë dhe 4 minuta më pas një harkim të Fredy Alvarez nga rivënia e këndit mjaft mirë u shfrytëzua nga Faustin Senhor, i cili me kokë shënoi për 2:0.

Ky gol solli mjaft huti në mesin e futbollistëve mysafir, ndërsa më së miri flet edhe reagimi i mbrojtësve të tyre, kur me të nisur topin nga gjysmëfusha, humbën topin pak para zonës së tyre, gjë kjo që solli edhe golin e tretë për FC Shkupin, këtë herë me autorë Kire Markoski, që sërish shënoi me kokë.

Goli i katërt dhe i fundit i këtij takimi erdhi në minutën e 70-të, me autorë Sandej Adentunxhi, i cili këtë herë shënoi me këmbë, duke shfrytëzuar devijimin e topit nga ana e portierit mysafir, Davor Taleski.

Ishet kjo fitorja e 11-të dhe e 8-ta për FC Shkupin si vendas, nga po aq ndeshje të zhvilluara, me ç’rast kjo skuadër pas 15 xhirove kryeson renditjen me 35 pikë, 4 më shumë se Akademia Pandevi i vendit të dytë, ndërkohë tashmë në vendin e tretë renditet Shkëndija e Tetovës, që sot në udhëtim mundi Makedonija GJ.P. (infOSport.mk)

Leave a Reply