Jasir Asani gati të veshë fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë! Fjalën e fundit e ka FIFA

Bllagoja Milevski gjatë ditës së sotme përmes një konference për shtyp shpalli emëroren për ndeshjen me Italinë, ndërsa shumë lehtë mund të ndodhë që pjesë e saj të jetë edhe shkupjani, Jasir Asani, njofton “infOSport.mk”.

Një gjë të tillë ka bërë të ditur vetë Milevski, i cili para gazetarëve tha se po presin miratimin e FIFA-s në mënyrë që fantazisti t’i bashkohet ekipit “verdhekuq”.

“Pritet konfirmimi i FIFA-s për Asanin. Ai nuk luan për Shqipërinë, sigurisht që i duhet një procedurë e plotë rreth ndryshimit të pasaportës sportive” – u shpreh Milevski lidhur me Asanin, i cili aktualisht luan në Hungari me ekipin e Kisvarda, me të cilën ka njohur vetëm progres.

Jasir Asani para se të transferohej në Hungari luajti në Superligën shqiptare me ekipin e Partizanit dhe atë kohë të shumtë ishin zërat që shkupjani mund ti bashkohet kombëtares shqiptare. Megjithatë një ftesë e tillë nuk erdhi asnjëherë në adresë të Asanit, i cili tashmë është i gatshëm të veshë fanellënë e përfaqësueses së Maqedonisë, vendit edhe ku ka lindur dhe është krijuar si futbollistë.

Kujtojmë Asani hapat e parë i kishte bërë te Vardari, te e cila skuadër falë aftësive të tij depërtoi edhe deri në ekipin e parë, për të luajtur më pas edhe me FC Shkupin dhe Pobedën e Prilepit, nga e cila skuadër shtatorin e vitit 2017-të u transferua te Partizani i Tiranës, pjesë e së cilës ishte deri verën e vitit 2021, me një përjashtim të vogël, kur për 7 muaj brenda vitit 2020 në formë huazimi laujti me skuadrën e AIK Stokholm në Suedi.

Te Kisvarda, Asani u adaptua shumë shpejt, pasi i njëjti arriti që të zë një vend titullari, teksa me këtë skuadër numëron 21 ndeshje kampionale dhe 5 gola të shënuar, duke kontribuar në ecurinë pozitive të skuadrës, që pas 24 xhirove në elitën e futbollit hungarez ndanë pozitën e dytë,bashkë edhe me Pushkash Academy. (infOSport.mk)

Leave a Reply