Volejboll-“Silver European League”, Shqipëria mund sërish Maqedoninë

Kombëtarja e Shqipërisë në volejboll në konkurrencë të meshkujve edhe në ndeshjen e dytë ndaj Maqedonisë së Veriut e vlefshme për Grupin B në kuadër të të “Silver European League”, shënoi fitore, duke rritur kështu ndjeshëm shanset për kualifikimin në “Final 4”.

Ekipi shqiptarë i udhëhequr nga trajneri Jani Melka shfrytëzoi më së miri faktorin fushë, duke dominuar ndaj një rivali të cilin e kishte mposhtur në fakt me të njëjtin rezultat 3:1 edhe në takimin para disa ditëve të zhvilluar në palestrën “Boris Trajkovski” në Shkup.

Shqipëria e nisi mbarë ndeshjen, teksa setin e parë e fitoi me rezultatin 25-20, por gaboi në të dytin, duke e humbur me të njëjtat shifra, 20-25.

Reagimi i “kuqezinjëve” në setin e tretë ishte i duhuri, duke dominuar në çdo aspekt, për ta fituar atë me rezultatin e thellë 25-16.

Seti i katërt ishte më i luftuari, me Maqedoninë e Veriut që bënë gjithçka për ta çuar sfidën në set final, por “kuqezinjtë” megjithatë u treguan shumë më fleksibil dhe në fund triumfuan me rezultatin 25-23, duke e mbyllur edhe sfidën e dytë ndaj ekipit nacional të vendit tonë në volejboll me rezultat 3-1.

Pas 6 xhirove të zhvilluara, Shqipëria renditet e dyta me 7 pikë, 3 më shumë se Maqedonia e Veriut dhe mund t’i mjaftojë fitorja në ndeshjen e radhës përballë Bosnjë Hercegovinës që do të zhvillohet sërish në Tiranë për të siguruar vendin e dytë. Në takimin e fundit Shqipëria do të përballet me Rumaninë në transfertë. (infOSport.mk)

Leave a Reply