FC Shkupi vendoset në Turqi, caktohen edhe 3 miqësore!

Kampionët e FC Shkupit sot udhëtuan drejt Turqisë, ku tashmë janë vendosur në një nga hotelet luksoze në Bollu, aty ku skuadra “bardhekaltër” nga Çairi do të vijojë me fazën e dytë të përgatitjeve në prag të ndeshjeve eliminatore në kuadër të Ligës së Kampionëve, njofton “infOSport.mk”.

Pikërisht në Turqi, trajneri Goce Sedlloski do të duhet të nxjerr më të mirën nga lojtarët e tij, ndërsa një gjë të tillë do të bëjë përmes ndeshjeve kontrolluese, e që nga tani kanë caktuar 3 të tilla në tokën turke.

Kundërshtarë i parë i “pëllumbave” nga Çairi do të jetë skuadra kampione e Shqipërisë, Tirana. Kjo ndeshje në program është me datë 19 qershor, 3 ditë më vonë FC Shkupi do të përballet me gjigandët e Fenerbahçes, ndërkohë me datë 25 kundër rumunëve të Hermanshtad.

Njëherit kjo do të jetë edhe kontrolluesja e fundit, para ndeshjes së parë europiane. Kujtojmë FC Shkupi këtë edicion do të na prezantojë në kualifikueset e Ligës së Kampionëve, ku për kundërshtarë do të ketë kampionët e Gjibraltarit, Lincoln RED IMPS FC.

Skuadra e Goce Sedlloskit ndeshjen e parë do ta zhvillojë në Shkup me datë 5 korrik me fillim në ora 20:45, ndërsa ndeshja e kthimit në program është një javë më pas (12 korrik) në fushën e kundërshtarit, me fillim në ora 18:00. (infOSport.mk)

Leave a Reply