Dy gola nga penaltitë, Prishtina mund Struga Trim Lumin në Mavrovë

Struga Trim Lum gjatë ditës së sotme në Mavrovë zhvilloi miqësoren e dytë në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik, njofton “infOSport.mk”.

Të besuarit e trajnerit Zaharievski sot përballë kishin ekipin shumë herë kampion të Kosovës, FC Prishtinën, ndaj së cilës skuadër në fund skuadra strugane pësoi disfatë minimale 2:1.

Ndeshja doli të jetë shumë interesante, me Struga Trim Lum që krijoi disa raste para portës kundërshtare, mirëpo që në pushim Prishtina shkoi me epërsi minimale 1:0, falë golit të Gledi Micit nga penaltia në minutën e fundit të pjesës së parë.

Në të njëjtën mënyrë, po nga penaltia, Prishtina shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e Kjoshevskit, këtë herë me autorë Kreshnik Uka, derisa golin e parë dhe të vetmin në këtë përballje, Struga Trim Lum e gjeti në minutën e 81-të, kur Besmir Bojku shënoi një super gol nga gjuajtja e lirë.

Kujtojmë Struga Trim Lum ditë më parë kishte zhvilluar një miqësore tjetër, kundër Ohrid Lihnidos, në të cilën ndeshje kishte shënuar fitore 3:1.

Vlen të theksohet se në takimin e sotëm kundër Prishtinës, te Struga Trim Lum mungoi Besart Ibraimi, për shkak të një ndërhyrjeje më të lehtë mjekësore. (infOSport.mk)

Leave a Reply